Një studim i ri me mbi 10,000 të rritur mbi moshën 50 vjeçare përgjatë 16 viteve ka zbuluar se ata që raportuan nivele më të larta të mirëqenies kishin kujtesë më të mirë me kalimin e kohës.
Hulumtimi, i botuar në “Aging & Mental Health”, sugjeron se mirëqenia psikologjike lidhet me funksionin më të mirë të kujtesës, edhe pasi janë përjashtuar simptomat depresive, shkruan burimi Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit gjetën një lidhje të vogël por domethënëse midis ndjenjës së kontrollit, autonomisë dhe mundësive personale me performancën më të mirë në teste të kujtesës. Megjithëse nuk u vërtetua se kujtesa e mirë çon drejt mirëqenies më të lartë më vonë në jetë.
Të dhënat erdhën nga studimi “English Longitudinal Study of Aging”, ku pjesëmarrësit u testuan çdo dy vjet për kujtesë dhe mirëqenie përmes pyetësorëve dhe detyrave për të kujtuar fjalë.
Sipas studiuesve, mirëqenia mund të ndikojë në kujtesë nëpërmjet faktorëve biologjikë si sëmundjet kardiovaskulare dhe atyre të stilit të jetesës si aktiviteti fizik. Gjithashtu, depresioni dhe ankthi njihen si faktorë rreziku për rënie të funksionit kognitiv.
Autorët theksojnë se nxitja e mirëqenies, përmes ndërhyrjeve si ‘mindfulness’, mund të jetë një mënyrë për të ruajtur shëndetin e trurit gjatë plakjes. Edhe pse studimi nuk provon lidhje shkak-pasojë, ai jep bazë të rëndësishme për kërkime të mëtejshme në parandalimin e rënieve kognitive dhe të demencës në të ardhmen. /Gazeta Shneta/


