Tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni) gjatë shtatzënisë mund të ndodhë në çdo tremujor dhe paraqet rrezik për nënën dhe foshnjën nëse nuk trajtohet.
Në SHBA, rreth 6–8% e grave 20–44 vjeç përjetojnë hipertension gjatë shtatzënisë. Ekzistojnë tri lloje kryesore të tij: hipertensioni kronik, hipertensioni gestacional dhe preeklampsia, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Hipertensioni kronik paraqitet para ose në 20 javët e para të shtatzënisë. Hipertensioni gestacional shfaqet pas javës së 20-të, pa prani të proteinave në urinë apo sëmundje të zemrës/veshkave. Zakonisht largohet pas lindjes, por mund të mbetet i pranishëm. Nëse tensioni kalon 160/110 mmHg, mund të shkaktojë komplikime serioze.
Preeklampsia shfaqet papritur pas javës së 20-të, zakonisht në tremujorin e tretë, dhe shoqërohet me proteinë në urinë dhe ndonjëherë me simptoma të tjera si ënjtje, dhimbje koke, turbullim shikimi, dhimbje në shpatull ose bark.
Rreziku është më i lartë për gratë me hipertension kronik, sëmundje të veshkave, diabet, lupus, obezitet, ose që kanë pasur preeklampsi më parë. Në raste të rënda, preeklampsia mund të kalojë në eklampsi, që përfshin kriza apo koma – një gjendje emergjente.
Komplikimet për nënën përfshijnë rrezik të shtuar për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe probleme me veshkat. Për foshnjën, hipertensioni mund të çojë në lindje të parakohshme, peshë të ulët ose vdekje të hershme.
Kontrolli i rregullt dhe trajtimi i hershëm janë thelbësorë për parandalimin e pasojave afatgjata. /Gazeta Shneta/


