Një grua 93-vjeçare vdiq në rajonin italian të Lacios nga virusi i Nilit Perëndimor. Kjo është vdekja e dhjetë në vend. Në Evropë, raste të infeksionit u regjistruan në pesë vende.
Një grua 93-vjeçare ndërroi jetë në rajonin e Lazios në Itali si pasojë e infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, duke e çuar në dhjetë numrin e viktimave në vend që nga fillimi i vitit. Ajo ishte rasti i katërt i konfirmuar në këtë rajon. Fillimisht ishte shtruar në spitalin San Paolo në Velletri dhe më pas u transferua në Institutin Spallanzani në Romë, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Tre vdekje të tjera u raportuan të mërkurën: një burrë 76-vjeçar nga Salerona, një 73-vjeçar nga Maddaloni dhe një 86-vjeçar i shtruar në spitalin Santa Maria Goretti në Latina. Ky i fundit kishte disa sëmundje paraprake dhe ishte ndër të parët e infektuar në zonë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit në Itali raportoi të enjten se gjatë periudhës 24–30 korrik ishin regjistruar 57 raste të reja tek njerëzit. Tetë prej tyre përfunduan me vdekje. Norma e vdekshmërisë për formën neuro-invazive të virusit ishte 20% në vitin 2025, krahasuar me 14% në 2024.
Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), rastet janë shfaqur në Itali, Greqi, Rumani, Bullgari dhe Francë. Italia shënoi përhapje në shtatë rajone të reja, ndërsa Greqia në tre dhe Rumania në një.
Virusi i Nilit Perëndimor përhapet kryesisht nga pickimi i mushkonjave që kanë marrë virusin nga shpendët e egër.
Shumica e të infektuarve nuk shfaqin simptoma. Rreth 20% kanë ethe, dhimbje koke, të përziera dhe skuqje të lëkurës.
Më pak se 1% zhvillojnë simptoma të rënda si ethe të larta, çorientim dhe paralizë. Nuk ka vaksinë apo trajtim specifik – kujdesi për simptomat dhe mbrojtja nga pickimi i mushkonjave mbeten mënyrat kryesore të parandalimit. /Gazeta Shneta/




