Testi i urinës është një kontroll rutinë që bëhet gjatë kujdesit para lindjes për të monitoruar shëndetin e nënës dhe të foshnjës. Profesionistët shëndetësorë e përdorin për të matur nivelin e proteinave, sheqernave, ketoneve dhe praninë e baktereve në urinë.
Ky test ndihmon në zbulimin e disa gjendjeve të rëndësishme shëndetësore gjatë shtatzënisë. Për shembull, nivelet e larta të sheqernave në urinë mund të jenë tregues i diabetit gestacional, një formë diabeti që shfaqet zakonisht rreth javës së 20-të të shtatzënisë, shkruan American Pregnancy Association përcjell Gazeta Shneta.
Nivelet e larta të proteinave mund të sinjalizojnë një infeksion urinar ose probleme me funksionin e veshkave. Në raste më serioze, këto nivele të larta, të kombinuara me presion të lartë të gjakut, mund të tregojnë preeklampsi – një gjendje potencialisht e rrezikshme që kërkon vëmendje mjekësore të menjëhershme.
Testi i urinës shërben gjithashtu për të identifikuar infeksione të fshikëzës apo të veshkave, dehidratim, si dhe praninë e ketoneve, të cilat tregojnë se trupi po përdor yndyrën si burim energjie në vend të sheqerit.
Kryerja e rregullt e këtij testi gjatë vizitave prenatale është një mënyrë e thjeshtë, por shumë e rëndësishme, për të ndjekur nga afër gjendjen shëndetësore të nënës dhe për të parandaluar komplikime gjatë shtatzënisë. /Gazeta Shneta/


