Ndotja e ajrit është një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik në kohët moderne – sidomos në vendet me urbanizim të shpejtë dhe standarde të dobëta mjedisore. Në intervistën ‘Mjeku i Javës’, këtë herë bisedojmë me pulmologun e njohur, Dr. Skender Baca – specialist i sëmundjeve të mushkërive, i cili ndan me ne njohuritë dhe përvojën e tij rreth ndikimit të ndotjes së ajrit në shëndetin e frymëmarrjes.
Nga grupet më të rrezikuara, si fëmijët dhe të moshuarit, deri te lidhja mes ndotjes dhe sëmundjeve kronike respiratore – Dr. Baca na tregon për rreziqet, simptomat, pasojave afatgjata, dhe ofron disa këshilla praktike.
– Cilat janë grupet më të rrezikuarit nga ndotja e ajrit: Fëmijët, të moshuarit, apo pacientët me sëmundje kronike
Dr. Baca: Të trija këto grupe janë më të ndjeshme ndaj ndotjes së ambientit. Sidomos fëmijët të cilët janë alergjik në polene apo/edhe në pluhur të shtëpisë. Fëmijët janë më të rrezikuar sepse ata nuk mund që në tërësi të kujdesen për shëndetin e tyre.
– A ka ndotja e ajrit ndikim afatshkurtër dhe afatgjatë në sistemin respirator?
Dr. Baca: Po ndikimi afatshkurtër shprehet në ataqe të kollës, shpeshherë e përcjellur me këlbazë e ndonjëherë edhe me frymëzënje. Këto simptoma menaxhohen mirë me terapi bazike: çajra, shurupa bimor për kollë, dhe largimi nga ambienti i ndotur. Ndikimi afatgjatë është paraqitja e Bronkitit kronik i cili mund të jetë i thjeshtë(simplex), mukopurulentë(me këlbazë të qelbosur) dhe obstruktiv (me frymëzënje). Tërë këto çrregullime ndërlidhen edhe me profesion(kontakti me pluhura posaqërisht ato organike), prezencë të alergjisë, dhe duhanpirjes.
– Cilat janë disa nga sëmundjet më të zakonshme që lidhen me ndotjen e ajrit – dhe si përkeqësohen ato nga ekspozimi i vazhdueshëm?
Dr. Baca: Janë 3 sëmundje kryesore të mushkërive që ndërlidhen drejtëpërdrejtë apo jo të drejtëpërdrejtë me ndotjen e ajrit. Ato janë Bronkiti kronik, Astma, dhe Emfizema mushkërore. Këto 3 entitete patologjike shpesh mbishtresohen njera me tjetrën ashtu që atëherë bëhet fjalë për SPOK (Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike) që në vete përfshinë elemente të dy sëmundjeve(Bronkiti kronik me emfizemë) dhe kjo mëpastaj mund të kryqëzohet edhe me Astmë. Pastaj si problem i veçantë është Sarkoidoza që nënkupton çrregullim imunitar të nyjeve limfatike të kraharorit.
– Si ndikon ndotja e ajrit në pacientët me astmë apo BPOC?
Dr. Baca: (BPOC eshte SPOK ose në anglisht COLD=Chronic Obstructiv Lung Diseases) ose edhe COPD=chronic obstructive pulmonary diseases.) Ndotja e ajrit ndikon shumë në SPOK(COLD) dhe atë në disa mënyra patologjike. Fillimisht ndikon në rritjen e shpeshtësisë së ekzacerbimeve(përkeqësimeve, acarimeve) të sëmundjes kronike e cila në një formë akutizohet, gjegjësisht aktualizohet patologjia.
Pastaj, ndotja e ajrit rritë shumë invaliditetin e përkohëshëm dmth paaftësinë për punë e cila përveq kostosë së madhe terapeutike ka edhe pasoja në ngecje të produktivitetit të punëtorëve dhe bujqëve. Dhe ndikimi më i rëndësishëm negativ është paraqitja e komplikimeve të pamjaftueshmërisë së frymëmarrjes(Insuficienca respiratore) kronike që nënkupton invaliditet të përjetshëm.
– A ka ndërlidhje mes ndotjes së ajrit dhe rritjes së rasteve me kancer në mushkëri, edhe tek njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan?
Dr. Baca: Sipas statistikave botërore 92% të të sëmurëve me kancer mushkëror janë nga rradhët e duhanpirësve ashtu që grupi tjetër prej 8% i takon joduhanpirësve. Kjo do të thotë se ndotja e ajrit ka rëndësi por është shumë e vogël në paraqitjen e kancerit të mushkërive.
– Cilat janë burimet kryesore të ndotjes së ajrit në vendin tonë dhe çfarë duhet të bëjë shoqëria për t’i reduktuar ato?
Dr. Baca: Burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Kosovë janë automjetet e vjetruara dhe të pakontrolluara sepse regjistrimi i tyre bëhet pa kontrollë teknike të nivelit të ndotjes. Pastaj vjen në radhë nxemja me thëngjill gjatë sezonës dimërore dhe fatkeqësisht digjen edhe vajërat dhe gomat si riciklim i pakontrolluar. Institucionet shtetërore duhet që të intervenojnë me aprovimin e ligjeve adekuate por edhe me inspektimin e implementimit të kësaj rregullative. Natyrisht që edhe ndërgjegjësimit të qytetarëve duhet ti kushtohet rëndësi e madhe.
– Çfarë këshilloni si pulmolog për prindërit që kanë fëmijë me probleme respiratore në qytete me ndotje të lartë?
Dr. Baca: Këshilla kryesore është që gjatë përzgjedhjes së vendbanimit(ose lagjes, rrugës) të kenë kujdes që të shkojnë sa më larg burimit të ndotësve. Banesat të ajrosen gjatë natës kur në rrugë ka më pak qarkullim të automjeteve, të dalin për shetitje me fëmijë pas rënjes së shiut, dhe të kalojnë sa më shumë kohë në natyrë, posaqërisht afër lumenjëve dhe liqeneve. Ëshë me rëndësi shumë të madhe që çdo fëmijë obligativisht gjatë ditës të konsumoj një gotë(200ml) qumësht sepse vetëm qumshti i eliminon metalet e rënda(të cilat thithen nga ndotja e ajrit) nga organizmi i njeriut./Gazeta Shneta/


