Marrja e gripit (influencës) gjatë shtatzënisë paraqet rreziqe serioze si për nënën, ashtu edhe për foshnjën. Për shkak të ndryshimeve në sistemin imunitar, gratë shtatzëna janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve dhe komplikimeve që lidhen me gripin.
Shtatzënia rrit rrezikun për sëmundje të tilla si pneumonia, ndërsa gripi mund të shkaktojë pasoja për beben, përfshirë lindjen e parakohshme, humbjen e shtatzënisë apo defektet në lindje. Për më tepër, shumë gra raportojnë simptoma më të rënda të gripit gjatë shtatzënisë sesa kur janë përballur me të më parë, shkruan Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Simptomat tipike përfshijnë ethe dhe të dridhura, temperaturë, lodhje të theksuar, dhimbje muskujsh, dhimbje koke, bllokim të hundës, dhimbje fyti, nauze, të vjella dhe diarre.
Për shkak të ndryshimeve anatomike dhe kufizimeve të mushkërive, simptomat respiratore, si vështirësia në frymëmarrje, mund të jenë veçanërisht shqetësuese.
Një tjetër shqetësim i madh është infeksioni në mushkëri, si bronkiti apo pneumonia, të cilat shfaqen më shpesh tek gratë shtatzëna me grip. Po ashtu, temperatura e lartë është lidhur me një rritje të rrezikut për defekte të tubit nervor tek fetusi dhe shpesh kërkon hospitalizim.
Ekspertët theksojnë se gratë shtatzëna duhet të tregojnë kujdes të shtuar ndaj simptomave të gripit dhe të kërkojnë trajtim mjekësor nëse gjendja përkeqësohet.
Parandalimi, përmes vaksinës kundër gripit dhe kujdesit personal, mbetet mënyra më e mirë për të mbrojtur shëndetin e nënës dhe të bebes. /Gazeta Shneta/


