Personat me bel të madh, tension të lartë të gjakut apo faktorë të tjerë që lidhen me sindromën metabolike mund të kenë rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit, sipas një studimi të botuar në revistën Neurology.
Sindroma metabolike diagnostikohet kur një person ka të paktën tre nga këta faktorë: dhjamë i tepërt në bark, presion i lartë i gjakut, sheqer i lartë në gjak, nivele të larta trigliceridesh dhe kolesterol të ulët HDL (“kolesteroli i mirë”).
“Parkinsoni është çrregullimi i dytë më i zakonshëm neurodegjenerativ pas Alzheimerit, ndërsa sindroma metabolike prek një në katër të rritur dhe është e modifikueshme,” tha autorja e studimit, Weili Xu nga Karolinska Institutet, Suedi.
Studimi përfshiu 467 mijë persona me moshë mesatare 57 vjeç, nga të cilët 38% kishin sindromë metabolike. Pas një periudhe ndjekjeje prej 15 vitesh, 3,222 persona zhvilluan Parkinson, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Rreziku doli rreth 40% më i lartë te personat me sindromë metabolike, edhe pasi u morën parasysh faktorë si mosha, duhanpirja, aktiviteti fizik dhe gjenet që lidhen me Parkinsonin.
Një meta-analizë që kombinoi këtë dhe tetë studime të tjera arriti në të njëjtin përfundim: personat me sindromë metabolike kanë 29% më shumë gjasa të preken nga Parkinsoni.
Sipas Xu, ruajtja e shëndetit metabolik është veçanërisht e rëndësishme për ata që mbartin gjene që rrisin predispozitën për Parkinson./Gazeta Shneta/


