Një studim i publikuar në Eurosurveillance nga Spitali i Fëmijëve Meyer në Firence ka evidentuar një rritje të ndjeshme të rasteve me kollë të mirë (pertusis) gjatë vitit 2024, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 16 vjeç.
Sipas të dhënave, 259 pacientë u shtruan në spital vetëm gjatë vitit 2024, duke shënuar një rritje nëntëfish krahasuar me periudhën 2016–2019.
Për dallim nga shpërthimet e mëhershme, ku më të prekurit ishin foshnjat, më shumë se gjysma e rasteve të fundit u regjistruan tek adoleshentët 10–16 vjeç, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se, edhe pse mbulimi me vaksina në Toskanë është ndër më të lartët në Itali (97.7% tek fëmijët dyvjeçarë dhe 75.8% tek adoleshentët 16-vjeçarë), shumë doza janë dhënë me vonesë. Tek foshnjat, vonesa për tre dozat e para ishte mbi një muaj, ndërsa tek adoleshentët shpesh kalonte një vit nga koha e rekomanduar e marrjes së dozës përforcuese.
Studimi sugjeron se imuniteti i dobësuar dhe vonesat në vaksinim, më shumë sesa refuzimi i vaksinës, janë shkaktarët kryesorë të këtij rikthimi.
Për më tepër, asnjë nga nënat e 77 foshnjave nën një vjeç të prekura nuk e kishte marrë vaksinën kundër pertusisit gjatë shtatzënisë, pavarësisht se ofrohet falas në Itali.
Autorët paralajmërojnë se respektimi i orarit të vaksinimit është po aq i rëndësishëm sa mbulimi dhe rekomandojnë ngushtimin e intervalit për dozën përforcuese të adoleshentëve, si dhe forcimin e fushatave sensibilizuese për prindërit dhe sistemin shëndetësor.
“Respektimi formal i kalendarit nuk mjafton – vaksinimi në kohën e duhur do të kishte parandaluar shumë prej këtyre shtrimeve,” theksojnë studiuesit./Gazeta Shneta/


