Komuna e Ferizajt ka kontraktuar një kompani për shërbime të kujdesit social, shëndetësor, shtëpiak dhe ambulantor.
Komuna e Ferizajt më datën 13 gusht të këtij viti ka nënshkruar një kontratë kornizë për shërbime sociale dhe shëndetësore, shkruan Gazeta Shneta.
Kontrata me vlerë 994 mijë Euro me afat prej 24 muaj i është dhënë grupit të operatorëve “Kosova Med” dhe “Agonis Qufaj”.

Sipas dosjes së tenderit, ky grup i kompanive do të ofrojë shërbime shëndetësore në komunën e Ferizajt.
“Vizita mjekësore, marrja e anamnezës, shikimi i dokumentacionit mjekësor ekzistues të pacientit, ekzaminimi i pacientit, matja e tensionit arterial dhe parametrave të tjerë vital, përcaktimi i diagnozës, vendosja e menaxhimit të terapisë, edukimi shëndetësor, vendosja e planit të mjekimit, përcjellja e gjendjes shëndetësore të pacientit dhe sipas nevojës udhëzimi për kujdes në nivelin dytësorë dhe tretësor”, thuhet në dosjen e tenderit.
Gjithashtu, operatorët ekonomik do të ofrojnë edhe shërbime infermierore, shërbime stomatologjike për të moshuar dhe për nxënës në shkolla, si dhe shërbime shëndetësore në institucionet shëndetësore të Komunës së Ferizajt si QKMF, AMF dhe shërbimin emergjent.
Gjiashtu do të jepen edhe shërbime laboratorike, si dhe shërbime psiko-sociale.
Kujtojmë se kompania “KosovaMed” vitin e kaluar ishte gjobitur nga Inspektorati Shëndetësor për të njëjtat shërbime që kjo kompani i kishte dhënë në komunën e Drenasit. Më pas gjobën e kishte anuluar Komisioni i Ankesave në Ministrinë e Shëndetësisë. E këtë vendim të Komisionit e kishte kthyer sërish Zyra Ligjore e po kësaj minsitrie. /Gazeta Shneta/




