Rreth javës së 20-të të shtatzënisë, gratë me qafë të mitrës të shkurtër përballen me një rrezik të shtuar për lindje të parakohshme. Parandalimi i këtij fenomeni është thelbësor për shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Një studim i fundit nga Amsterdam UMC, i publikuar në “BMJ”, ka treguar se përdorimi i progesteronit është më i suksesshëm se pesarët e qafës së mitrës (pajisje silikoni) në reduktimin e rrezikut për lindje ekstreme të parakohshme, shkruan burimi Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
“Ky është një përmirësim i madh që mund të ulë numrin e lindjeve të parakohshme dhe ndërlikimet e tyre, përfshirë vdekshmërinë foshnjore dhe problemet afatgjata shëndetësore”, thekson Eva Pajkrt, profesoreshë e obstetrikës në Amsterdam UMC.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit rreth 13.5 milionë foshnja lindin para javës së 37-të.
Fëmijët e lindur para kohe janë më të ndjeshëm ndaj komplikimeve fizike dhe zhvillimore, çka e bën parandalimin e lindjes së parakohshme një prioritet global.
Studimi i realizuar në 25 qendra në Holandë përfshiu gra me gjatësi të qafës së mitrës më pak se 25 mm, të identifikuara përmes ultratingullit në javën e 20-të.
Rezultatet treguan se trajtimi me progesteron është më i efektshëm se pesarët, duke nënvizuar rëndësinë e matjes së qafës së mitrës dhe këshillimit të grave shtatzëna për mundësitë e trajtimit. /Gazeta Shneta/


