Një algoritëm i inteligjencës artificiale (AI), i bazuar vetëm në imazhet e mamografisë dhe moshën, mund të parashikojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare te gratë po aq mirë sa metodat standarde të vlerësimit, sipas një studimi të publikuar në revistën Heart.
Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 49 mijë grave në Australi, duke i ndjekur për gati 9 vite.
Gjatë kësaj kohe, mbi 3,300 prej tyre zhvilluan probleme kardiovaskulare, përfshirë sëmundje të arterieve koronare, infarkt, goditje në tru dhe insuficiencë kardiake, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Algoritmi i AI tregoi saktësi të krahasueshme me kalkulatorët më modernë të rrezikut, si PREDICT dhe PREVENT, por kishte përparësinë se nuk kërkonte analiza shtesë apo të dhëna të hollësishme mjekësore.
Ekspertët theksojnë se përdorimi i mamografisë si një test “dy në një” – për kancerin e gjirit dhe sëmundjet e zemrës – mund të bëhet një mjet i vlefshëm për parandalimin dhe ndërgjegjësimin.
Megjithatë, mbetet sfida e zbatimit praktik dhe e sigurimit që ky model të funksionojë njësoj në pajisje të ndryshme dhe në vende të tjera./Gazeta Shneta/


