Njerëzit që përdorin kanabis kanë katër herë më shumë gjasa të zhvillojnë diabet të tipit 2, krahasuar me ata që nuk e përdorin, sipas një analize të re. Ky studim u prezantua në Takimin Vjetor të “European Association for the Study of Diabetes (EASD)”, të mbajtur në Vjenë nga 15-19 shtator.
Analiza, e bazuar në të dhëna mjekësore nga mbi 4 milionë persona në SHBA dhe Evropë, tregoi një lidhje të fortë mes përdorimit të kanabisit dhe incidencës më të lartë të diabetit të tipit 2, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, si studim retrospektiv, nuk mund të përcaktojë shkakun e drejtpërdrejtë të kësaj lidhjeje — vetëm korrelacionin.
Incidencë më e lartë e diabetit tek përdoruesit e kanabisit
Sipas OBSH, rreth 147 milionë persona (2.5% e popullsisë botërore) përdorin kanabis dhe përdorimi i tij po rritet më shpejt se substancat e tjera rekreative. Produktet e kanabisit përfshijnë, përveç formave të tymosjes, edhe ushqime, vajra dhe tinktura.
Ndërkohë, globalisht rreth 589 milionë të rritur të moshës 20–79 vjeç jetojnë me diabet, ku 90% e rasteve janë të tipit 2. Edhe pse gjenetika mund të luajë rol, kjo formë e diabetit shpesh lidhet me faktorë të parandalueshëm të stilit të jetesës.
Në analizën e kryer, studiuesit identifikuan 96,795 përdorues kanabisi dhe i krahasuan me 4,160,998 persona që nuk kishin përdorur kurrë. Pas pesë vitesh ndjekje, u vu re se incidenca e diabetit tek përdoruesit ishte 2.2%, krahasuar me 0.6% tek jo-përdoruesit.
Edhe pas marrjes në konsideratë të faktorëve si hipertensioni i pakontrolluar, përdorimi i alkoolit apo kokainës dhe sëmundjet kardiake, lidhja mbeti e qartë.
Studiuesit dyshojnë se shpjegimi kryesor lidhet me rritjen e rezistencës ndaj insulinës dhe zakonet e ushqyerjes jo të shëndetshme, përfshirë ngrënien e tepërt pas përdorimit të kanabisit.
Sipas Dr. Ibrahim Kamel, autor kryesor i studimit, lidhja ishte befasuese sepse mekanizmi ende nuk është i qartë. Ndërsa ekspertë të tjerë theksojnë se hulumtimet mbi marrëdhënien mes kanabisit dhe diabetit janë ende të kufizuara dhe shpesh japin rezultate të kundërta. /Gazeta Shneta/


