Një studim i publikuar në The Lancet Diabetes & Endocrinology sugjeron se semaglutidi, i përdorur një herë në javë në dozë 7.2 mg, ofron rezultate më të mëdha në uljen e peshës trupore dhe belit tek të rriturit me obezitet dhe diabet të tipit 2, krahasuar me dozën e miratuar aktualisht prej 2.4 mg.
Studimi përfshiu 512 pacientë nga 68 qendra ndërkombëtare. Pas 72 javësh, grupi që mori 7.2 mg shënoi një ulje mesatare të peshës prej 13.2%, kundrejt 10.4% me dozën 2.4 mg dhe vetëm 3.9% me placebo shkruann MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Perimetri i belit ra mesatarisht me 12.3 cm në grupin me dozë të lartë, krahasuar me 10.7 cm në dozën 2.4 mg dhe 5.8 cm në placebo.
Megjithatë, doza më e lartë shoqërohej edhe me më shumë efekte anësore, përfshirë shqetësime gastrointestinale dhe raste më të shpeshta të disestezisë (ndjesi të dhimbshme ose të pakëndshme). Një rast vdekjeje u raportua si i mundshëm që lidhej me ilaçin.
Autorët theksojnë se rezultatet tregojnë potencial për përfitime shtesë nga triplikimi i dozës, por paralajmërojnë për nevojën e studimeve të tjera të pavarura për të vlerësuar më mirë sigurinë, përfshirë ndikimin në masën muskulore dhe organet.
Ekspertët paralajmërojnë se, duke qenë se studimi është financuar nga kompania prodhuese Novo Nordisk, të dhënat duhen trajtuar me kujdes dhe me një dozë të shtuar skepticizmi./Gazeta Shneta/


