Një studim nga Weill Cornell Medicine dhe Universiteti i Virxhinias sugjeron se gratë që zhvillojnë depresion pas lindjes (PPD) mund të kenë nivele të veçanta të steroideve neuroaktive në gjakun e tyre gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë. Këto molekula, të derivuara nga progesteroni, ndikojnë në mënyrën si truri reagon ndaj stresit dhe si rregullohen emocionet.
Rezultatet, të botuara në revistën “Neuropsychopharmacology”, mund të ofrojnë një metodë të re për identifikimin e grave me rrezik të lartë për PPD para se të shfaqen simptomat. Një test i thjeshtë gjaku mund t’i ndihmojë mjekët të ndërhyjnë më herët dhe të parandalojnë zhvillimin e kësaj gjendjeje, shkruan burimi Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Depresioni postpartum është një formë e rëndë depresive që prek 10–15% të nënave të reja. Kjo gjendje mund të shkaktojë vështirësi emocionale të gjata, duke ndikuar si te prindi, ashtu edhe tek fëmija.
Simptomat përfshijnë ndjenjë dëshpërimi, humbje oreksi, vështirësi gjumi, lodhje dhe probleme në krijimin e lidhjes me foshnjën.
Aktualisht, trajtimet për PPD përfshijnë dy medikamente të reja – brexanoloni dhe zuranoloni – të cilat jepen vetëm pasi të diagnostikohet gjendja. Megjithatë, ky studim hap perspektivën e një qasjeje parandaluese.
Nëse vërtetohet nga kërkime të mëtejshme, përdorimi i biomarkerëve hormonal mund të revolucionarizojë mënyrën si trajtohet shëndeti mendor i grave shtatzëna, duke mundësuar ndërhyrje të hershme dhe mbrojtje më të mirë si për nënat, ashtu edhe për fëmijët e tyre. /Gazeta Shneta/


