Një përmbledhje e re e të dhënave klinike ka nxjerrë në pah se tramadoli, një opioid i përdorur gjerësisht për trajtimin e dhimbjeve, është më pak efektiv se sa mendohej dhe lidhet me rreziqe të konsiderueshme për shëndetin.
Sipas studimit të botuar në BMJ Evidence Based Medicine, tramadoli nuk redukton në mënyrë të konsiderueshme dhimbjet mesatare dhe të forta.
Për më tepër, përdorimi i tij dyfishon rrezikun për efekte serioze anësore, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe formimin e qelizave para-kanceroze, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët që kryen rishikimin e të dhënave klinike nga 19 studime me mbi 6,500 pacientë theksojnë se përfitimet e tramadolit shpesh mbivlerësohen, ndërsa rreziqet përbëjnë shqetësim të madh.
Efektet e tjera anësore përfshijnë nauze, marramendje, kapsllëk dhe lodhje.
Sipas studiuesve, këto gjetje sugjerojnë që përdorimi i tramadolit duhet të minimizohet, ndërsa udhëzimet mjekësore që e rekomandojnë këtë medikament duhet të rishikohen, duke marrë parasysh rreziqet e mundshme për pacientët.
Dr. Jehad Ahmad Barakji nga Rigshospitalet në Kopenhagë tha se “rreziqet e mundshme të përdorimit të tramadolit për trajtimin e dhimbjes tejkalojnë përfitimet e tij të kufizuara”.
Ky raport vjen në një kohë kur përdorimi i opioidëve në botë po rritet, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ku vdekjet nga mbidoza opioidësh kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit./Gazeta Shneta/


