Një studim i ri ka sjellë një nga lajmet më inkurajuese në luftën kundër kancerit të qafës së mitrës: vajzat që vaksinohen kundër virusit HPV në moshën 12-13 vjeç kanë pothuajse zero rrezik të vdesin nga kjo sëmundje para moshës 30-vjeçare.
Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i katërt më i zakonshëm te gratë në botë. Sipas ekspertëve, rreth 99% e rasteve shkaktohen nga llojet me rrezik të lartë të virusit humanpapilloma (HPV). Vetëm në Angli diagnostikohen çdo vit rreth 3.300 raste të reja, raporton The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit nga Universiteti i Londrës “Queen Mary”, analizuan të dhënat zyrtare për vdekshmërinë dhe vaksinimin te gratë e moshës 20 deri në 34 vjeç. Rezultatet treguan se, pas futjes së vaksinës HPV në vitin 2008, vdekjet nga kanceri i qafës së mitrës kanë rënë ndjeshëm në grupet e vaksinuara.
Sipas autorëve të studimit, vaksina ka parandaluar tashmë afro 200 vdekje të grave të reja në Angli. Për gratë e vaksinuara që sot janë 30-34 vjeç, rreziku i vdekjes nga kjo sëmundje është 63% më i ulët krahasuar me ato që nuk janë vaksinuar.
Një tjetër rezultat historik është se, për herë të parë që nga mbajtja e statistikave, asnjë grua e moshës 20-24 vjeç nuk ka vdekur nga kanceri i qafës së mitrës në Angli gjatë periudhës 2020-2024.
Vaksina HPV nuk mbron vetëm nga kanceri i qafës së mitrës. Ajo ul gjithashtu rrezikun e disa llojeve të kancerit të anusit, penisit, vaginës, vulvës, gojës dhe fytit, si dhe mbron nga lythat gjenitale.
Megjithatë, ekspertët janë të shqetësuar për rënien e vaksinimit. Para pandemisë së Covid-19, shkalla e vaksinimit ishte afër objektivit prej 90% të vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sot, mbulimi kombëtar në Angli ka rënë në rreth 75%, ndërsa në Londër është vetëm 60%.
Profesor Peter Sasieni paralajmëron se, nëse këto tendenca vazhdojnë, mund të shfaqen përsëri vdekje që do të mund të parandaloheshin. Sipas vlerësimeve të tij, rënia e vaksinimit mund të sjellë 15 deri në 25 vdekje shtesë çdo vit te gratë e reja, ndërsa në afat më të gjatë deri në 200 vdekje në vit nga kanceri i qafës së mitrës mund të shmangeshin nëse rikthehen nivelet e vaksinimit para pandemisë.
Ekspertët theksojnë se kombinimi i vaksinimit HPV me kontrollin e rregullt gjinekologjik mund ta çojë këtë sëmundje drejt eliminimit pothuajse të plotë. /Gazeta Shneta/


