Një studim i ri i publikuar në revistën “European Heart Journal”, sugjeron se konsumimi i moderuar i verës mund të ulë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të rënda kardiovaskulare tek personat me rrezik të lartë, të cilët ndjekin një dietë mesdhetare.
Studime të mëparshme mbi efektet e verës në shëndetin e zemrës kanë dhënë rezultate të paqarta, pjesërisht për shkak të varësisë nga vetë-raportimet e pjesëmarrësve. Në këtë studim, shkencëtarët përdorën një metodë më objektive: matjen e acidit tartarik në urinën e pjesëmarrësve — një tregues i besueshëm i konsumit të verës, raporton Medical Xpress, përcjell Gazeta Shneta.
Studimi u udhëhoq nga prof. Ramon Estruch i Universitetit të Barcelonës dhe përfshiu 1,232 pjesëmarrës që nuk kishin sëmundje kardiovaskulare në fillim, por kishin faktorë të lartë rreziku, si diabeti tip 2, presioni i lartë i gjakut, kolesteroli, mbipesha ose një histori familjare të sëmundjeve të zemrës.
Gjatë një periudhe prej katër deri në pesë vjetësh, u regjistruan 685 raste të sulmeve në zemër, goditjeve në tru apo vdekjeve kardiovaskulare.
Rezultatet treguan se te personat që pinin pak ose mesatarisht verë – gjysmë deri në një gotë në ditë – rreziku për ngjarje kardiovaskulare u ul me 50% krahasuar me ata që pinë shumë pak ose aspak. Edhe pija e lehtë, si një gotë në javë, uli rrezikun me 38%.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se konsumi i tepruar i verës nuk ofron përfitime shtesë dhe mund të zhdukë efektin mbrojtës, duke nënvizuar rëndësinë e moderimit në konsum. /Gazeta Shneta/


