Një dietë e pasur me sheqerna dhe yndyra — e njohur si “dieta perëndimore” — lidhet jo vetëm me obezitetin, por edhe me rritjen e rrezikut për depresion dhe ankth.
Një studim i ri, i botuar në “Brain Medicine”, ka treguar se ushtrimet fizike mund të zbusin disa nga efektet negative mendore që shkakton ky lloj ushqimi, të paktën te minjtë eksperimental, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Në këtë studim, kafshët e ushqyera me një dietë me yndyrë dhe sheqer të lartë shfaqën sjellje të ngjashme me depresionin dhe ankthin.
Megjithatë, kur iu lejua aktivitet fizik i rregullt, simptomat u reduktuan ndjeshëm.
Ushtrimet duket se ndihmojnë duke rregulluar nivelet e hormoneve metabolike si insulina dhe leptina, si dhe duke parandaluar uljen e metabolitëve që prodhohen nga mikrobioma e zorrëve — faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen shpirtërore.
Autorja kryesore, profesorja Yvonne Nolan nga University College Cork, theksoi se këto rezultate “ofrojnë dëshmi të rëndësishme se ushtrimet mund të zbusin disa pasoja mendore të një diete jo të shëndetshme” dhe se kërkohet më shumë hulumtim për të konfirmuar këto efekte tek njerëzit.
Studiuesit vërejnë se ushtrimet rrisin diversitetin e mikrobiomës së zorrëve dhe prodhimin e substancave që mbrojnë trurin nga inflamacioni, duke përmirësuar kështu humorin dhe funksionin njohës.
Megjithatë, aktiviteti fizik nuk mund t’i neutralizojë të gjitha dëmet e një diete të pashëndetshme, çka thekson rëndësinë e kombinimit të ushqyerjes së balancuar me lëvizjen e rregullt për mirëqenie mendore dhe fizike. /Gazeta Shneta/


