Një studim i ri tregon se urthi i shpeshtë ose refluksi acidik mund të sinjalizojë një rrezik më të lartë për çrregullim nga përdorimi i alkoolit (AUD).
Sipas studimit të botuar në “Journal of the American Board of Family Medicine”, personat që vuajnë nga sëmundja e refluksit gastroezofageal (GERD) kanë 18% më shumë gjasa të diagnostikohen më vonë me varësi nga alkooli, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autores kryesore, Dr. Kimberly Schiel nga ‘Saint Louis University School of Medicine’, njohja e kësaj lidhje mund t’i ndihmojë mjekët të bëjnë pyetjet e duhura dhe të ofrojnë ndihmë më herët.
“Nëse e dimë se pacientët me GERD janë më të rrezikuar, mund të ndërhyjmë në kohë,” tha ajo.
Alkoolizmi prek të paktën 12% të meshkujve dhe 8% të femrave në SHBA dhe lidhet me rreth 178,000 vdekje çdo vit.
Megjithatë, mjekët familjar shpesh e kanë të vështirë të identifikojnë këtë çrregullim në fazat e hershme.
Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të mbi 350,000 të rriturve të trajtuar në klinika të lidhura me universitetin midis viteve 2020–2023. Asnjëri prej tyre nuk kishte diagnozë alkoolizmi në fillim të studimit.
Gjatë ndjekjes, vetëm GERD u shfaq si faktor i fortë parashikues për zhvillimin e varësisë nga alkooli — veçanërisht tek personat nën 58-vjeç, si te burrat, ashtu edhe te gratë.
Autorët theksojnë se diagnoza e re e GERD duhet të shihet si mundësi për mjekët të nisin një bisedë mbi konsumin e alkoolit dhe të kryejnë testime parandaluese për çrregullim të përdorimit të tij. /Gazeta Shneta/


