Në një diskutim të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, u trajtua siguria e grave në vendin e punës dhe nevoja për veprime konkrete institucionale dhe mbështetje të qëndrueshme.
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, tha se pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet e ulët për shkak të faktorëve të shumtë.
“Mungesa e institucioneve për përkujdesje për fëmijët, transporti publik i pakët, punësimi joformal dhe përkujdesja për të moshuarit janë pengesa që e kufizojnë pjesëmarrjen e grave në punë. Gratë shpesh mbeten të bllokuara në një rreth të detyrimeve të pafund, duke i pamundësuar zhvillimin e plotë të kapaciteteve të tyre.”, tha Gusia.
Ajo theksoi gjithashtu se investimet e qëndrueshme dhe formalizimi i sektorëve ku punojnë më shumë gra janë të domosdoshme për të garantuar siguri dhe mundësi për karrierë profesionale:
“Përdorimi i masave afirmative dhe promovimi i një kulture pune që respekton barazinë dhe fleksibilitetin është thelbësor që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm.”, u shpreh Gusia.
Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, foli mbi gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.
“Raporti tregon se siguria në vendin e punës ende mbetet një sfidë. Diskriminimi me bazë gjinore, pasiguria në marrëdhëniet e punës dhe ngarkesa e dyfishtë mes punës së paguar dhe përkujdesjes familjare mbeten pengesa të mëdha për barazi të vërtetë,” theksoi Demolli.
Alessandro Bianciardi, Zëvendëskryetar i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian, theksoi mbështetjen e BE-së për fuqizimin e grave:
“Siguria në vendin e punës nuk është në nivelin e duhur. Zëri i grave duhet të dëgjohet dhe ne do t’u qëndrojmë prapa me dyer të hapura për të udhëhequr të ardhmen e Kosovës.” u shpreh Bianciardi.




