Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pak minuta pas takimit të thirrur me liderët e partive politike parlamentare.
Këtë e bëri të ditur kryetari i GUXO, Faton Peci pas takimit, duke thënë se Osmani nuk pati zgjidhje tjetër veçse të firmoste shpërndarjen e Kuvendit.
Ky veprim erdhi pasi edhe mandatari i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, dështoi të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë, duke përmbyllur kështu të gjitha afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 26 tetorit.
Pas shpërndarjes së Kuvendit, sipas Kushtetutës, presidentja është e obliguar të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh.




