Një burrë në të 50-at në Mbretërinë e Bashkuar ka pësuar goditje në tru pasi konsumonte deri në tetë energji-pije çdo ditë, duke nxitur mjekët që të kërkojnë masa më të rrepta për kufizimin e këtyre produkteve dhe paralajmërime më të qarta për rreziqet shëndetësore.
Pacienti, i përshkruar si “i shëndetshëm më herët” dhe pa histori duhanpirjeje apo konsumimi alkooli, u paraqit në spital pasi pësoi mpirje të anës së majtë të trupit, humbje të ekuilibrit, vështirësi në ecje, gëlltitje dhe të folur – të gjitha simptoma tipike të një goditjeje në tru, shkruan Euronews përcjell Gazeta Shneta.
Mjekët konstatuan se ai kishte pësuar goditje në thalamus, pjesë e trurit që kontrollon lëvizjen dhe perceptimin sensor.
Gjatë ekzaminimit, u zbulua se burri kishte tension jashtëzakonisht të lartë të gjakut, 254/150 mmHg, një nivel i rrezikshëm për jetën. Edhe pse fillimisht iu ul tensioni me medikamente, vlerat u rikthyen të larta pas daljes nga spitali.
Mjekët më pas zbuluan shkakun: pacienti konsumonte rreth 8 energji-pije në ditë, secila me rreth 160 mg kafeinë, duke e çuar marrjen ditore të kafeinës në 1,280 mg, mbi trefishin e kufirit të rekomanduar prej 400 mg në ditë.
Pasi ai ndërpreu energji-pijet, tensioni i gjakut iu normalizua dhe nuk kishte më nevojë për barna. Megjithatë, dëmtimet neurologjike u lanë pasoja të përhershme.
“Kam mbetur me mpirje në anën e majtë të dorës, këmbës dhe fytyrës, edhe pas tetë viteve,” tha ai.
Rasti, i botuar në BMJ Case Reports, është raportuar nga mjekët Martha Coyle dhe Sunil Munshi nga Nottingham University Hospitals NHS Trust.
Të dy kërkojnë rregullim më të rreptë të energji-pijeve, sidomos mes të rinjve që shpesh i konsumojnë në mënyrë të pakontrolluar.
Ata paralajmërojnë se konsumimi akut dhe kronik i energji-pijeve mund të rrisë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe goditje në tru, ndonëse pranojnë se nevojiten më shumë studime për të vërtetuar lidhjen.
Megjithatë, mjekët theksojnë se rreziku potencial nuk duhet nënvlerësuar.
“Në pacientët me hipertension të pashpjegueshëm, mjekët duhet të pyesin për konsumimin e energji-pijeve,” thuhet në raport./Gazeta Shneta/




