Kreatina njihet gjerësisht për rolin e saj në rritjen e energjisë dhe forcës muskulore, por studime të fundit tregojnë se ajo mund të ketë përfitime edhe për shëndetin e trurit. Hulumtimet fillestare sugjerojnë se suplementet me kreatinë mund të përmirësojnë funksionet njohëse, veçanërisht te të moshuarit, personat me lodhje mendore ose ata që vuajnë nga mungesa e gjumit.
Kreatina është një molekulë që ndihmon trupin të riciklojë adenozinë trifosfatin (ATP), burimin kryesor të energjisë për qelizat.
Ajo gjendet natyrshëm në trup dhe në ushqime si mishi, peshku dhe produktet e qumështit. Shumica e njerëzve marrin mjaftueshëm kreatinë nga dieta, por suplementimi përdoret shpesh për të rritur energjinë fizike. Në tru, kreatina vepron në mënyrë të ngjashme duke përmirësuar furnizimin me energji dhe duke mbrojtur qelizat nervore, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimet kanë treguar një lidhje midis nivelit të kreatinës në tru dhe performancës njohëse. Në një studim të fundit, persona të privuar nga gjumi që morën një dozë të lartë kreatine shfaqën përmirësime të dukshme në përqendrim dhe lodhje mendore. Kjo sugjeron se kreatina mund të jetë veçanërisht e dobishme për trurin e stresuar.
Po ashtu, studime të vogla tregojnë se kreatina mund të përmirësojë funksionet njohëse te personat me sëmundjen e Alzheimerit, duke hapur rrugë për kërkime të mëtejshme mbi rolin e saj në parandalimin e sëmundjeve neurodegjenerative.
Megjithatë, kreatina nuk duket se sjell përfitime të mëdha për trurin e shëndetshëm dhe të pa lodhur. Dozat e larta mund të ngarkojnë veshkat, ndaj rekomandohet kujdes, sidomos te personat me probleme shëndetësore. Në përgjithësi, kreatina mund të mbështesë trurin kur ai është i lodhur, por nuk shton përfitime të mëdha në kushte normale. /Gazeta Shneta/


