Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitare e ka mbajtur sot mbledhjen e parë për vitin 2026.
Mbledhja është hapur me diskutimet e kryesueses së Bordit Tetore Olloni, mbi funksionalizimin e shërbimit paliativ në nivel të SHSKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
Anëtarja e Bordit Besa Balidemaj e cila e përfaqëson Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se ky shërbim është i paraparë në kuadër të Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë, ndërsa krijimi i hospicës është i varur nga mbështetja financiare ndërkombëtare.
Në këtë mbledhje është kërkuar që të respektohet Udhërrëfyesi për lindje cezariane në sektorin publik, por edhe në sektorin privat.
Drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi ka thënë se përqindja e lindjeve cezariane nuk i tejkalon në masë të madhe kriteret e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në mbledhje është kërkuar përditësimi i listës së barnave, publikimin e listës së mjekëve që ofrojnë shërbime në ambulancat specialistike, si dhe listat e mjekëve kujdestar si dhe publikimi i rregullores për EVP me financim nga buxheti i SHSKUK-së.
Në mbledhje është diskutuar kalimthi edhe incidenti i konfliktit fizik të dy specialistëve në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK.
Olloni ka thënë se ky ishte incident i shëmtuar dhe Bordi nuk mund të jetë indiferent dhe pret që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“Të dy personat janë proceduar në Komisionin Disiplinor nga drejtori i klinikës. Komisionit i është kërkuar që ta trajtojë rastin ashtu siç duhet”, ka deklaruar drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi.
Në këtë mbledhje është prezantuar edhe Plani Strategjik dhe Plani i Auditimit të Njësisë së Auditorit të Brendshëm në SHSKUK nga drejtori Besnik Zejnullahu.
Krejt në fund u prezantua edhe raporti i listave të pritjes në SHSKUK. /Gazeta Shneta/




