Një studim i ri ka zbuluar se simptomat e menopauzës së hershme, apo periudhës së perimenopauzës, janë shpesh shumë të ndryshme nga ajo që shumica e grave presin.
Ndërsa valët e nxehtësisë dhe djersitjet e natës konsiderohen si shenjat më tipike, gratë raportojnë se lodhja dhe rraskapitja janë simptomat më të shpeshta.
Studimi, i publikuar më 28 janar në revistën shkencore Menopause, analizoi të dhëna nga mbi 17 mijë përdoruese të aplikacionit për shëndetin e grave Flo, nga 158 vende të botës.
Fokus i veçantë ishte mbi 12 mijë gra mbi moshën 35 vjeç, të cilat po i afrohen menopauzës.
Sipas rezultateve, gratë që prisnin të hynin në perimenopauzë e lidhën këtë fazë kryesisht me valë nxehtësie (71%), probleme me gjumin (68%) dhe shtim në peshë (65%). Megjithatë, gratë që realisht po kalonin këtë fazë raportuan simptoma të tjera shumë më shpesh.
Ndër simptomat më të shpeshta të përjetuara ishin:
rraskapitja dhe lodhja fizike e mendore (mbi 90%),
irritimi,
problemet me gjumin,
gjendja e ulët emocionale dhe depresioni,
ankthi dhe “mjegulla mendore”.
Edhe pse shtimi në peshë, valët e nxehtësisë dhe djersitjet e natës ishin të pranishme, ato rezultuan më pak dominuese krahasuar me lodhjen dhe ndryshimet emocionale.
Drejtuesja e studimit, Dr. Mary Hedges nga Mayo Clinic, tha se gjetjet tregojnë se perimenopauza ndikon ndjeshëm në jetën e përditshme të grave, ndërkohë që vazhdon të mbetet e keqkuptuar.
Studiuesit theksojnë nevojën për më shumë hulumtime, për të kuptuar më mirë simptomat në faza të ndryshme të menopauzës dhe për të gjetur mënyra më efektive për t’i lehtësuar ato.


