Dhimbja abdominale (e barkut) përkufizohet si dhimbje që ndihet kudo midis kraharorit dhe legenit. Gjatë shtatzënisë, dhimbjet e barkut janë të shpeshta dhe në shumë raste nuk janë serioze.
Megjithatë, ndonjëherë ato mund të jenë shenjë e një gjendjeje kërcënuese për jetën, ndaj është e rëndësishme të dini kur duhet të kërkoni ndihmë urgjente mjekësore, shkruan burimi Pregnancybirthbaby.org.au transmeton Gazeta Shneta.
Dhimbja e barkut gjatë shtatzënisë mund të shoqërohet me simptoma të tjera si urth ose probleme me tretjen, të përziera, të vjella, kapsllëk apo diarre, gjakderdhje ose sekrecione vaginale, dhimbje mesi, rrahje të shpejta zemre dhe temperaturë.
Dhimbja mund të shfaqet papritur ose gradualisht dhe të jetë e lokalizuar në një zonë të caktuar ose e përhapur në të gjithë barkun.
Shkaqet e dhimbjes së barkut gjatë shtatzënisë janë të shumta.
Disa lidhen drejtpërdrejt me shtatzëninë, si shtatzënia jashtë mitre, aborti spontan, pre-eklampsia, shkëputja e placentës, dhimbja e ligamenteve, kapsllëku apo kontraksionet Braxton Hicks.
Ka edhe shkaqe që nuk lidhen me shtatzëninë, përfshirë apendicitin, infeksionet e veshkave, problemet e fshikëzës së tëmthit, pankreatitin, bllokimin e zorrëve, traumat apo sëmundjet inflamatore të zorrëve.
Për të përcaktuar shkakun, mjeku do të vlerësojë simptomat, historinë mjekësore, shenjat jetësore dhe mund të kërkojë analiza gjaku, urine ose ekzaminime imazherike si ultrazëri apo rezonanca magnetike.
Diagnostikimi mund të jetë sfidues, pasi trupi ndryshon gjatë shtatzënisë dhe disa dhimbje janë normale, ndërsa të tjerat kërkojnë hetim të menjëhershëm. /Gazeta Shneta/


