Janë ekzekutuar mjetet financiare nga Thesari i Shtetit për pacientët me sëmundje malinje, pas vendimit social të marrë më herët nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Sipas vendimit të komunës, personat që përballen me sëmundje malinje kanë të drejtë të përfitojnë 500 euro ndihmë financiare një herë në vit, e cila ka filluar të shpërndahet përmes sistemit të Thesarit të Republikës së Kosovës.
Kjo pagesë synon të ofrojë mbështetje morale dhe financiare për pacientët dhe familjet e tyre gjatë trajtimeve dhe sfidave shëndetësore.
Vendimi për përkrahje u mor në ditën e parë të punës së vitit të ri nga kryetari Ramosaj si pjesë e politikave sociale të komunës, që synojnë të mbështesin kategoritë në nevojë dhe të lehtësojnë barrën financiare për qytetarët.




