Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë janë realizuar gjithsej 733 procedura të gastroskopisë gjatë vitit 2025.
Sipas njoftimit të spitalit, procedurat janë kryer nga specialistët e gastroenterologjisë, Dr. Bujar Çuni dhe Dr. Besnik Koliqi, në bashkëpunim me stafin infermieror.
Gastroskopia është një metodë diagnostikuese që mundëson ekzaminimin e traktit të sipërm tretës, përfshirë ezofagun, stomakun dhe duodenin. Përmes kësaj procedure, mjekët vëzhgojnë në kohë reale ndryshimet në mukozën e stomakut dhe identifikojnë probleme si ulçera, inflamacione apo polipe.
Nga spitali bëhet e ditur se procedura kryhet në kushte sterile dhe synon të ofrojë siguri dhe komoditet për pacientët.
Sipas njoftimit, pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim nuk përballen me pritje të gjata për kryerjen e gastroskopisë./Gazeta Shneta/




