Ajri i pastër dhe qarkullimi i mirë i ajrit brenda shtëpisë mund të reduktojnë sulmet e astmës tek të rriturit, sipas një studimi të ri.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Atmosphere, gjeti se përdorimi i ventilatorëve dhe pastruesve të ajrit në shtëpi lidhet me më pak përkeqësime të simptomave të astmës.
Studiuesit analizuan të dhënat e afro 1,600 të rriturve me astmë në Teksas gjatë viteve 2019–2022. Sipas autorit kryesor të studimit, Alexander Obeng nga Shkolla e Shëndetit Publik në Texas A&M University, dy faktorët kryesorë që nxisin astmën në shtëpi janë mungesa e ventilimit në kuzhinë dhe banjë, si dhe pirja e duhanit.
Rezultatet treguan se personat që nuk përdornin pastrues ajri ose që pinin duhan kishin më shumë gjasa të përjetonin sulme astme, simptoma të shpeshta dhe vështirësi me gjumin apo aktivitetin fizik.
Po ashtu, më pak probleme me astmën u vërejtën tek personat që jetonin në shtëpi pa myk, pa kafshë me qime dhe pa prani brejtësish.
Studiuesit theksojnë se përmirësimi i qarkullimit të ajrit, përdorimi i pastruesve të ajrit, shmangia e duhanpirjes brenda dhe reduktimi i pluhurit apo alergjenëve nga kafshët shtëpiake mund të ndihmojnë në menaxhimin më të mirë të astmës në kushte shtëpie.
Sipas tyre, kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi të rriturit kalojnë deri në 90% të kohës në ambiente të mbyllura, ku ajri mund të jetë më i ndotur sesa jashtë./Gazeta Shneta/


