Vdekjet nga infarkti i parë i rëndë i zemrës janë rritur te të rriturit nën moshën 55 vjeç gjatë periudhës 2011–2022, sipas një studimi të ri të publikuar në Journal of the American Heart Association.
Analiza përfshiu afro 1 milion shtrime në spital të personave 18–54 vjeç në SHBA dhe tregoi një rritje absolute prej 1.2% të vdekjeve spitalore pas një infarkti të rëndë (STEMI). Ndërkohë, normat për formën më pak të rëndë (NSTEMI) mbetën të pandryshuara.
Studiuesit theksojnë se gratë e reja janë më të rrezikuara se burrat. Tek pacientët me STEMI, shkalla e vdekshmërisë në spital ishte 3.1% për gratë krahasuar me 2.6% për burrat. Edhe në NSTEMI, gratë kishin përqindje më të lartë vdekshmërie.
Autorët e studimit e cilësojnë gjetjen shqetësuese, duke theksuar se infarkti shpesh konsiderohet problem i moshave të mëdha, por të dhënat tregojnë rrezik real edhe për të rinjtë, veçanërisht për gratë.
Një tjetër gjetje ishte se gratë morën më pak procedura kardiovaskulare për diagnostikim dhe trajtim krahasuar me burrat, pavarësisht se kishin shkallë të ngjashme komplikimesh.
Studimi evidentoi gjithashtu rolin e faktorëve jotradicionalë të rrezikut si të ardhurat e ulëta, sëmundja e veshkave dhe përdorimi i drogave jo-duhan të cilët u lidhën fort me vdekjen në spital pas infarktit.
Autorët theksojnë se përmirësimi i rezultateve te personat nën 55 vjeç kërkon identifikim më të hershëm të rrezikut dhe vëmendje më të madhe ndaj faktorëve jotradicionalë, ndërsa nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë këto lidhje./Gazeta Shneta/


