Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG), në bashkëpunim me Shoqatën për Mjekësinë Fetale dhe Materne, ka publikuar rekomandime të reja për menaxhimin e pacientëve me kancer gjatë shtatzënisë.
Sipas këtyre udhëzimeve, rastet e kancerit tek gratë në moshë riprodhuese janë në rritje, çka e bën të domosdoshëm një qasje të kujdesshme dhe të personalizuar në trajtim.
Për diagnostikim, ekspertët rekomandojnë përdorimin e ultrazërit dhe rezonancës magnetike (MRI) pa kontrast si metoda të para. Megjithatë, nëse është e nevojshme, nuk duhet të shmangen as metoda të tjera si CT apo PET/CT, edhe gjatë shtatzënisë.
Gjithashtu, rekomandohet fillimi i terapisë parandaluese kundër mpiksjes së gjakut tek pacientet me kancer aktiv, sidomos në rastet hematologjike dhe gjinekologjike.
Sa i përket trajtimit, ndërhyrjet kirurgjikale nuk duhet të shtyhen për shkak të shtatzënisë dhe mund të kryhen në çdo fazë të saj. Ndërkohë, kimioterapia zakonisht rekomandohet pas javës së 12-të të shtatzënisë, nëse vonesa e trajtimit nuk ndikon në prognozën e pacientes.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se lindja e parakohshme duhet të shmanget sa herë që është e mundur, për të mbrojtur zhvillimin afatgjatë të fëmijës.
“Trajtimi i kancerit gjatë shtatzënisë duhet të përshtatet sipas llojit dhe fazës së sëmundjes, fazës së shtatzënisë dhe dëshirës së pacientes për ta vazhduar atë”, thuhet në rekomandime./Gazeta Shneta/


