Joga prenatale është një praktikë e dobishme për mirëqenien fizike dhe emocionale gjatë shtatzënisë.
Joga ndihmon trupin të përshtatet me ndryshimet që ndodhin, forcon muskujt e pjesës së poshtme të trupit dhe lehtëson mbajtjen e barkut në rritje. Gjithashtu, tonifikon muskujt e legenit dhe e përgatit trupin për lindje, shkruan burimi Parents transmeton Gazeta Shneta.
Frymëmarrja e thellë dhe e ndërgjegjshme, e mësuar përmes jogës, ndihmon në relaksimin e trupit dhe në përballimin më të lehtë të procesit të lindjes. Kjo teknikë ul tensionin, zvogëlon frikën dhe e ndihmon gruan të qëndrojë e qetë gjatë lindjes.
Një përfitim tjetër i rëndësishëm është lehtësimi i shqetësimeve të zakonshme, si dhimbjet e shpinës, të përzierat, pagjumësia apo gulçimi. Joga përmirëson qarkullimin e gjakut dhe rrit furnizimin me oksigjen për nënën dhe foshnjën.
Përveç përfitimeve fizike, joga prenatale krijon një hapësirë për lidhje me fëmijën dhe me vetveten. Pjesëmarrja në klasa ofron mundësi për t’u njohur me nëna të tjera dhe për të ndarë përvoja të përbashkëta.
Studimet tregojnë se gratë që praktikojnë joga gjatë shtatzënisë kanë më pak rrezik për lindje të parakohshme ose për të pasur një foshnjë me peshë të ulët. Në këtë mënyrë, joga prenatale kontribuon në një shtatzëni më të shëndetshme dhe më të lumtur. /Gazeta Shneta/


