Një studim i ri i publikuar në “Jama Network Open”, ka identifikuar një faktor të mundshëm mjedisor që lidhet me autizmin.
Studimi, i kryer mbi më shumë se 2 milionë fëmijë, zbulon se autizmi është më i shpeshtë tek ata fëmijë, nënat e të cilëve janë ekspozuar gjatë shtatzënisë ndaj niveleve të larta të sulfateve dhe amoniumit në ajër. Gjithashtu, ekspozimi ndaj ozonit në muajt e parë të jetës rezulton një faktor shtesë, shkruan burimi IFL Science transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, rritja e rrezikut është relativisht modeste, duke treguar se këta nuk janë faktorët kryesorë në diagnostikimin e autizmit. Pavarësisht kësaj, evidenca e këtij studimi është më e fortë se ajo që është paraqitur ndonjëherë për lidhje me vaksinat apo përdorimin e qetësuesve si Paracetamoli.
Studimi përfshiu fëmijë të lindur në Ontario, Kanada, midis viteve 2002 dhe 2022, duke analizuar nivelet e ndotjes sipas zonave të banimit. U krahasuan fëmijët e diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik me ata pa diagnozë, duke marrë parasysh faktorë socio-ekonomikë.
Rezultatet treguan se ekspozimi ndaj sulfateve (SO4²⁻) dhe amoniumit (NH4⁺) mbi 2 μg/m³ lidhet më fort me autizmin. Ndërkohë, grimca të tjera si kripa e detit apo karboni i zi nuk treguan lidhje domethënëse.
Edhe pse rreziku rritet vetëm me 12–15%, ekzistojnë mekanizma biologjikë të njohur përmes të cilëve ndotja e ajrit mund të ndikojë në zhvillimin e trurit.
Autorët theksojnë se kufizimi i ndotjes mbetet thelbësor, pasi ajo lidhet edhe me sëmundje të tjera serioze si astma, kanceri dhe komplikime në shtatzëni. Në nivel global, shumë vende kanë ndërmarrë masa për reduktimin e ndotjes, megjithëse disa politika së fundmi janë dobësuar. /Gazeta Shneta/


