Trupi i një gruaje fillon të ndryshojë gradualisht kur afrohet lindja, për shkak të luhatjeve hormonale dhe përgatitjes për procesin e lindjes. Shenjat e hershme të lindjes mund të ndryshojnë nga një shtatzëni në tjetrën, por zakonisht përfshijnë disa simptoma të njohura.
Ndër shenjat më të shpeshta janë dhimbje të ngjashme me menstruacionet, dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, diarre, ndryshime në sekrecionet vaginale, si dhe rrjedhje me gjak të lehtë. Një tjetër shenjë është edhe çarja e ujërave, kur qesja amniotike hapet.
Shpesh, foshnja zbret më poshtë në legen, duke shtuar presion mbi fshikëzën urinare dhe duke rritur nevojën për urinim të shpeshtë. Disa gra përjetojnë gjithashtu një shpërthim energjie dhe dëshirë për të përgatitur gjithçka për ardhjen e foshnjës.
Sekrecioni i trashë me ngjyrë rozë ose me gjurmë gjaku, që mund të shfaqet disa ditë ose edhe javë para lindjes përbëhet nga një tapë mukoze që gjatë shtatzënisë mbyll qafën e mitrës dhe mbron foshnjën nga infeksionet. Kur ajo fillon të dalë, tregon se qafa e mitrës ka filluar të hapet.
Zakonisht, shenjat e para të lindjes shfaqen ndërmjet javës së 37-të dhe 42-të të shtatzënisë. Lindja mund të fillojë ngadalë dhe të zgjasë disa orë apo ditë, me kontraksione që bëhen gjithnjë e më të forta dhe të rregullta.
Lindja konsiderohet aktive kur kontraksionet bëhen të rregullta, më të gjata dhe më të forta, duke shkaktuar hapjen e qafës së mitrës. Kontraksionet e Braxton Hicks janë të ndryshme, pasi nuk shkaktojnë hapje të mitrës dhe shërbejnë vetëm si përgatitje.
Është e rëndësishme të kontaktoni mjekun ose maminë menjëherë nëse ujërat kanë ngjyrë jeshile ose kafe, nëse ka gjakderdhje, nëse kontraksionet fillojnë para javës së 37-të, nëse lëvizjet e foshnjës zvogëlohen ose nëse ndjeni presion të fortë dhe nevojë për të shtyrë.
Ky tekst është marrë nga burimi Pregnancy Birth Baby dhe është përkthyer dhe redaktuar nga Gazeta Shneta.


