Ngërçet e këmbëve janë kontraktime të papritura dhe të dhimbshme të muskujve, të cilat prekin deri në 3 nga 10 gra shtatzëna. Zakonisht ndodhin në muskujt e pulpës, por mund të shfaqen edhe në kofshë ose shputa. Ato shfaqen më shpesh gjatë natës dhe janë më të zakonshme në tremujorin e dytë dhe të tretë të shtatzënisë.
Edhe pse shkaku i saktë nuk është plotësisht i kuptuar, mjekët besojnë se disa faktorë mund të kontribuojnë në shfaqjen e tyre. Këtu përfshihen shtimi i peshës gjatë shtatzënisë, presioni mbi nervat, qarkullimi i dobët i gjakut në muskuj dhe mungesa e disa vitaminave apo mineraleve.
Në shumicën e rasteve, ngërçet nuk janë të rrezikshme, por mund të jenë shumë të dhimbshme dhe shqetësuese.
Megjithatë, në disa raste- dhimbja në këmbë mund të jetë shenjë e një problemi më serioz, si mpiksja e gjakut. Nëse këmba është e enjtur, e skuqur, e ngrohtë ose dhimbja nuk largohet, është e rëndësishme të kërkohet ndihmë mjekësore menjëherë.
Kur ndodh një ngërç, disa mënyra të thjeshta mund të ndihmojnë në lehtësimin e tyre.
Shtrirja e muskulit duke tërhequr gishtat e këmbës drejt trupit, masazhimi i zonës së prekur dhe ecja e lehtë mund të ndihmojnë në uljen e dhimbjes.
Nëse dhimbja vazhdon pas ngërçit, mund të përdoret paracetamol për lehtësim, gjithmonë sipas këshillës së mjekut.
Edhe pse nuk ekziston një mënyrë e sigurt për të parandaluar plotësisht ngërçet, disa masa mund të ndihmojnë në uljen e shpeshtësisë së tyre.
Shtrirja e muskujve të pulpës para gjumit, pirja e mjaftueshme e ujit, shmangia e pozicioneve të gabuara të këmbës dhe një banjë e ngrohtë para gjumit mund të jenë të dobishme.
Një dietë e ekuilibruar gjithashtu luan rol të rëndësishëm. Disa gra përdorin suplemente si magnezi dhe kalciumi, por nuk ka prova të forta që ato janë efektive në të gjitha rastet.
Prandaj, para përdorimit të tyre, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun ose maminë.
Në përgjithësi, ngërçet e këmbëve gjatë shtatzënisë janë të zakonshme dhe të përkohshme, por nëse bëhen të shpeshta ose shumë të dhimbshme, këshilla mjekësore është gjithmonë e rekomanduar.
Ky tekst është marrë nga burimi Pregnancy Birth Baby dhe është përkthyer dhe redaktuar nga Gazeta Shneta.


