Gratë shtatzëna që përjetojnë të përziera dhe të vjella të rënda kanë rrezik më të lartë për një sërë komplikimesh gjatë shtatzënisë dhe lindjes, sugjeron një studim i ri i realizuar nga studiuesit e Universitetit Stanford.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore “American Journal of Epidemiology”, analizoi rreth 2.5 milionë lindje në Kaliforni dhe zbuloi se hiperemeza gravidarum (HG) – forma më e rëndë e të përzierave gjatë shtatzënisë – lidhet me rritjen e rrezikut për lindje të parakohshme, preeklampsi, anemi dhe komplikime të tjera serioze.
Ndërsa 70 deri në 80 për qind e grave shtatzëna përjetojnë të përziera në një formë të lehtë ose të moderuar, hiperemeza gravidarum prek rreth 1 deri në 3 për qind të shtatzënive dhe mund të shkaktojë dehidrim të rëndë, humbje të konsiderueshme të peshës dhe nevojë për trajtim spitalor.
“Hiperemeza gravidarum nuk është thjesht një formë më e rëndë e të përzierave të mëngjesit. Ajo mund të çojë në dehidrim dhe humbje të madhe peshe”, tha autorja kryesore e studimit, Rebecca Gardner.
Studiuesit krahasuan gratë që kishin nevojë për trajtim emergjent ose hospitalizim për shkak të HG-së me ato që nuk kishin përjetuar këtë gjendje.
Nga afro 2.5 milionë lindje të përfshira në analizë, më shumë se 53 mijë gra kishin marrë trajtim spitalor për hiperemezë gravidarum.
Rezultatet treguan se gratë me HG kishin më shumë gjasa të zhvillonin preeklampsi, një komplikim i rrezikshëm i shtatzënisë që karakterizohet nga tensioni i lartë i gjakut dhe mund të shkaktojë kriza epileptike nëse nuk trajtohet.
Po ashtu, ato kishin rrezik më të lartë për hipertension gestacional, lindje të parakohshme, anemi, shkëputje të placentës dhe lindje të foshnjave më të vogla se sa pritet për moshën e shtatzënisë.
Sipas analizës, gratë me hiperemezë gravidarum kishin 18 për qind më shumë gjasa të zhvillonin preeklampsi, 25 për qind më shumë gjasa të lindnin para kohe, 37 për qind më shumë gjasa të vuanin nga anemia dhe 14 për qind më shumë gjasa të përjetonin shkëputje të placentës krahasuar me gratë që nuk kishin këtë gjendje.
Ekspertët besojnë se një nga arsyet kryesore mund të jetë mungesa e ushqyesve të rëndësishëm gjatë shtatzënisë. Gratë me HG shpesh nuk arrijnë të ushqehen dhe të hidratohen mjaftueshëm, gjë që mund të ndikojë në zhvillimin normal të placentës dhe të fetusit.
Studimi gjeti gjithashtu se gratë që u shtruan për herë të parë në spital për shkak të HG-së gjatë tremujorit të dytë të shtatzënisë kishin rrezik më të madh për komplikime krahasuar me ato që u trajtuan gjatë tremujorit të parë.
Autorët theksojnë se shumica e grave me hiperemezë gravidarum sjellin në jetë foshnja të shëndetshme, por paralajmërojnë se kjo gjendje nuk duhet neglizhuar./Gazeta Shneta/


