Një model i ri i inteligjencës artificiale (AI), i zhvilluar nga Universiteti Stanford në SHBA, mund të identifikojë rrezikun për zhvillimin e më shumë se 100 gjendjeve shëndetësore duke analizuar vetëm të dhënat e një nate gjumi.
Modeli, i quajtur “SleepFM”, funksionon në mënyrë të ngjashme me modelet e mëdha gjuhësore (LLM), por në vend të gjuhës njerëzore ai “mëson gjuhën e gjumit”.
Sipas Euronews Health, sistemi analizon aktivitetin e trurit, rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, si dhe lëvizjet e syve dhe këmbëve gjatë gjumit për të vlerësuar rrezikun e sëmundjeve të ndryshme, transmeton Gazeta Shneta.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Nature”, u bazua në mbi 580,000 orë të dhëna gjumi të mbledhura nga rreth 65,000 pacientë gjatë periudhës 1999–2024.
Të dhënat u ndanë në segmente prej pesë sekondash, të cilat shërbyen si “fjalë” për trajnimin e modelit.
Sipas studiuesve, “SleepFM” arriti një saktësi prej të paktën 80% në parashikimin e sëmundjeve si Parkinsoni, Alzheimeri, demenca, sëmundjet hipertensive të zemrës, infarkti, si dhe kanceri i prostatës dhe gjirit.
Modeli parashikoi gjithashtu vdekshmërinë me një saktësi prej 84%, ndërsa për sëmundje si goditja në tru, aritmia dhe sëmundja kronike e veshkave, saktësia ishte rreth 78%.
Studiuesit theksojnë se kombinimi i shumë sinjaleve fiziologjike e bën modelin veçanërisht efektiv. Në të ardhmen, ata synojnë të integrojnë edhe të dhëna nga pajisjet e mençura që monitorojnë shëndetin.
/Gazeta Shneta/


