Një studim i ri ka zbuluar se jo vetëm infarktet e diagnostikuara, por edhe ato të ashtuquajtura “të heshtura”, mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e rënies së aftësive njohëse dhe problemeve të kujtesës me kalimin e kohës.
Infarkti i heshtur ndodh kur një person pëson dëmtim të muskulit të zemrës pa simptoma të dukshme ose pa u diagnostikuar në momentin kur ndodh. Sipas të dhënave, rreth një në pesë infarkte është i këtij lloji, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 20 mijë personave mbi moshën 45 vjeç, të cilët u ndoqën për një periudhë prej 10 deri në 14 vitesh. Pjesëmarrësit iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore, elektrokardiogrameve (EKG) dhe vlerësimeve vjetore të funksioneve njohëse.
Rezultatet treguan se çdo lloj infarkti, qoftë i diagnostikuar apo i heshtur, lidhej me një rrezik më të lartë të përkeqësimit të aftësive mendore. Lidhja ishte veçanërisht e fortë me format më të rënda të dëmtimit njohës.
Sipas ekspertëve, një nga arsyet mund të jetë se personat që pësojnë infarkt kanë më shumë gjasa të zhvillojnë bllokime në enët e gjakut të trurit, duke shkaktuar dëmtime të vogla cerebrale që shpesh kalojnë pa simptoma, por që ndikojnë gradualisht në kujtesë dhe përqendrim.
Studiuesit sugjerojnë se përdorimi rutinë i elektrokardiogramës, së bashku me historinë mjekësore të pacientit, mund të ndihmojë në identifikimin e hershëm të personave me rrezik të shtuar për rënie njohëse. Kjo do të mundësonte ndërhyrje më të hershme për mbrojtjen e shëndetit të trurit dhe parandalimin e dëmtimeve afatgjata. /Gazeta Shneta/


