Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 8 qershor 2026 janë regjistruar gjithsej 30 raste të konfirmuara me fruth në vend.
Sipas të dhënave të institutit, numri më i madh i rasteve është raportuar në Ferizaj me nëntë raste, pasuar nga Prishtina me tetë dhe Kaçaniku me pesë raste. Dy raste janë regjistruar në Lipjan dhe Fushë Kosovë, ndërsa nga një rast është raportuar në Gjilan, Shtime, Obiliq dhe Deçan, transmeton Gazeta Shneta.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast të paraqitjes së simptomave të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të kërkojnë menjëherë ndihmë në institucionet më të afërta shëndetësore.
Duke theksuar se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse, instituti u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas kalendarit të rregullt në qendrat e mjekësisë familjare. Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.


