Një parazit i rrezikshëm, i njohur si “New World screwworm”, po rikthehet si shqetësim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi autoritetet kanë konfirmuar pesë raste të infektimit te kafshët, pavarësisht se kjo specie ishte eliminuar prej dekadash.
Sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA), rastet e fundit janë identifikuar te tre viça dhe një dhi në Teksas, si dhe te një qen në shtetin fqinj, Nju Meksiko, shkruan Euronews Health.
Ky parazit është një lloj mize, larvat e së cilës ushqehen me mishin e gjallë të kafshëve me gjak të ngrohtë, por në raste të rralla mund të prekin edhe njerëzit. Miza vendos vezët në plagë të hapura ose në mukozë, ndërsa larvat që çelin depërtojnë në inde dhe ushqehen me to.
Pas konfirmimit të rasteve, autoritetet kanë vendosur zona karantine prej 20 kilometrash rreth vatrave të infeksionit për të frenuar përhapjen e parazitit.
Rasti i qenit në Nju Meksiko ka ngritur shqetësime shtesë, pasi kafsha nuk kishte udhëtuar në Meksikë apo Teksas. Autoritetet veterinare po zhvillojnë hetime për të përcaktuar burimin e infektimit.
Ekspertët thonë se mund të zbulohen raste të tjera gjatë ditëve dhe javëve në vijim, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se paraziti po përhapet me shpejtësi. Sipas entomologëve, rritja e vigjilencës dhe kontrollet më të shpeshta mund të çojnë në identifikimin e më shumë rasteve.
“New World screwworm” ishte një problem serioz për industrinë blegtorale amerikane deri në vitet 1960 dhe 1970, kur u arrit eliminimi i tij në pjesën më të madhe të territorit amerikan.
Sa i përket njerëzve, ekspertët vlerësojnë se rreziku mbetet i ulët. Megjithatë, personat që qëndrojnë për periudha të gjata pranë kafshëve ose udhëtojnë në zonat e prekura duhet të tregojnë kujdes.
Simptomat e mundshme përfshijnë plagë që nuk shërohen, gjakderdhje, erë të pakëndshme nga plaga, si dhe praninë e larvave në plagë apo në pjesë të tjera të trupit si hunda, goja, sytë dhe veshët.
Autoritetet amerikane kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të këtij paraziti të rrezikshëm.


