Oda e Stomatologëve të Kosovës ka reaguar ndaj propozimit të Komunës së Prishtinës për vendosjen e një tarife komunale vjetore prej 2 mijë eurosh për aktivitetin e dentistëve, duke e cilësuar atë si të paarsyeshme dhe me pasoja të mundshme për funksionimin e ordinancave stomatologjike.
Përmes një njoftimi, Oda bëri të ditur se ka shqyrtuar Draftin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale të Kryeqytetit dhe ka dorëzuar reagimin zyrtar pranë institucioneve kompetente.
Sipas Odës, propozimi për vendosjen e një tarife komunale vjetore në shumën prej 2.000 euro për aktivitetin 8623 – Aktivitetet e dentistëve, paraqet një ngarkesë financiare të pajustifikueshme për profesionistët e kësaj fushe.
Në reagimin e saj, OSK ka argumentuar se masa e propozuar është joproporcionale dhe mund të ndikojë negativisht në veprimtarinë e ordinancave stomatologjike, veçanërisht të atyre me kapacitete më të vogla dhe me mundësi më të kufizuara financiare.
“Janë paraqitur argumente profesionale, juridike dhe ekonomike që mbështesin qëndrimin se një ngarkesë e tillë financiare është e paarsyeshme dhe mund të cenojë funksionimin e ordinancave stomatologjike”, thuhet në njoftimin e Odës.
Oda e Stomatologëve ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë procesin dhe do t’i mbajë të informuar anëtarët e saj për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje.
Propozimi për tarifën komunale është pjesë e draft-rregullores së re të Kryeqytetit për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, e cila aktualisht ndodhet në procedurë shqyrtimi.


