Vetëm një në pesë pacientë që pësojnë goditje në tru ose dëmtime serioze neurologjike përfiton rehabilitim intensiv spitalor pas trajtimit fillestar, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Neurology Open Access”
Studiuesit zbuluan se vetëm 22 për qind e pacientëve që kanë pësuar goditje në tru, dëmtime traumatike të trurit ose dëmtime të palcës kurrizore dërgohen në qendra rehabilitimi spitalore pas daljes nga spitali.
Sipas ekspertëve, këto qendra ofrojnë terapi më intensive, zakonisht mbi tri orë rehabilitim në ditë, dhe luajnë rol të rëndësishëm në rikuperimin afatgjatë të pacientëve.
“Rehabilitimi intensiv pas goditjes në tru, dëmtimeve traumatike të trurit dhe dëmtimeve të palcës kurrizore mund të përmirësojë ndjeshëm shërimin e pacientëve, por qasja në këto shërbime mbetet e pabarabartë”, tha autori kryesor i studimit, Dr. Farhaan Vahidy nga Memorial Hermann në Houston.
Për studimin janë analizuar të dhënat shëndetësore të afro 445 mijë pacientëve të hospitalizuar në pesë shtete amerikane gjatë periudhës 2016-2019.
Nga të gjithë pacientët e përfshirë në analizë, 75 për qind kishin pësuar goditje në tru, 24 për qind dëmtime të trurit, ndërsa 1 për qind dëmtime të palcës kurrizore.
Rezultatet treguan se 22 për qind e pacientëve u transferuan në qendra rehabilitimi spitalore, 26 për qind në institucione të kujdesit afatgjatë, ndërsa më shumë se gjysma, përkatësisht 54 për qind, u kthyen direkt në shtëpi pas trajtimit spitalor.
Në mesin e pacientëve me goditje në tru, më pak se një në katër mori rehabilitim intensiv, ndërsa te pacientët me dëmtime të trurit kjo përqindje ishte edhe më e ulët, vetëm 14 për qind. Në krahasim, 44 për qind e pacientëve me dëmtime të palcës kurrizore u dërguan në programe rehabilitimi spitalor.
Studimi identifikoi gjithashtu dallime të konsiderueshme në qasjen ndaj rehabilitimit. Gratë kishin 19 për qind më shumë gjasa të përfitonin rehabilitim intensiv krahasuar me burrat, ndërsa pacientët me ngjyrë të zezë kishin 29 për qind më shumë gjasa se pacientët e bardhë për t’u referuar në këto programe.
Megjithatë, kur krahasoheshin vetëm pacientët e transferuar në institucione rehabilituese ose të kujdesit afatgjatë, pacientët me ngjyrë të zezë kishin 10 për qind më pak gjasa të përfitonin rehabilitim intensiv sesa pacientët e bardhë.
Studiuesit konstatuan gjithashtu se lloji i sigurimit shëndetësor dhe niveli ekonomik i zonës ku jetonin pacientët ndikonte në mundësinë e marrjes së rehabilitimit spitalor.
Ekspertët theksojnë se garantimi i qasjes së barabartë në rehabilitimin intensiv mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës dhe rezultatet afatgjata për pacientët që përballen me pasoja të goditjes në tru apo dëmtimeve të tjera neurologjike.
Ata bëjnë thirrje për studime të mëtejshme dhe politika që do të reduktonin pabarazitë në qasjen ndaj këtyre shërbimeve jetike.


