Një suplement shumë i përdorur për lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve mund të lidhet me një rrezik më të lartë të përparimit të sëmundjes së Alzheimerit, sugjeron një studim i ri.
Sipas hulumtimit të publikuar më 9 qershor në revistën “Nature Metabolism”, përdorimi i glukozaminës shoqërohet me 25% më shumë gjasa që një person me dëmtim të lehtë njohës të kalojë në demencë ose Alzheimer, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
“Bëhet fjalë për një lidhje statistikore dhe jo për provë të drejtpërdrejtë se glukozamina e shkakton sëmundjen, por rezultatet ngrenë një pyetje të rëndësishme klinike që meriton shumë më tepër vëmendje,” tha Matt Gentry, profesor i biokimisë dhe biologjisë molekulare në Universitetin e Floridës.
Glukozamina është një përbërës natyral që gjendet në kërcin e shëndetshëm dhe përdoret gjerësisht si suplement për mbështetjen e shëndetit të nyjeve. Megjithatë, studiuesit theksojnë se ajo mund të kalojë barrierën gjak-tru, duke ndikuar potencialisht edhe në funksionimin e trurit.
Për studimin, ekipi përdori inteligjencën artificiale për të analizuar të dhënat mjekësore të pacientëve të diagnostikuar me Alzheimer, demencë ose dëmtim të lehtë njohës nga viti 2012 deri në 2024. Ata zbuluan se rreth 8% e pacientëve me rënie të funksioneve njohëse përdornin glukozaminë.
Rezultatet treguan se pacientët që merrnin këtë suplement kishin 25% më shumë gjasa të kalonin nga dëmtimi i lehtë njohës në demencë të plotë.
Shkencëtarët dyshojnë se glukozamina mund të ndikojë në proceset metabolike që kontrollojnë mënyrën se si molekulat e sheqerit lidhen me proteinat në tru. Sipas tyre, ky mekanizëm mund të nxisë formimin e depozitave toksike të proteinave, si pllakat amiloide dhe tau, të cilat janë karakteristike për Alzheimerin.
Eksperimentet te minjtë e modifikuar gjenetikisht treguan se glukozamina përkeqësoi kujtesën, ndërsa bllokimi i këtij procesi metabolik solli përmirësime të funksioneve njohëse.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar nëse glukozamina luan rol të drejtpërdrejtë në përparimin e sëmundjes. Deri atëherë, rezultatet sugjerojnë se njerëzit me Alzheimer ose me probleme të hershme të kujtesës duhet të konsultohen me mjekun para përdorimit të këtij suplementi.
/Gazeta Shneta/


