Një studim i ri sugjeron se gratë përjetojnë pasoja më të rënda nga apnea obstruktive e gjumit sesa burrat, edhe pse ndërprerjet e gjumit gjatë natës ndodhin me frekuencë të ngjashme te të dyja gjinitë.
Gjetjet, që do të prezantohen në takimin vjetor të organizatave amerikane të mjekësisë tregojnë se gratë raportojnë më shpesh simptoma si dhimbje koke, makthe dhe nevojë të shpeshtë për të urinuar gjatë natës.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se gratë kishin rezultate më të këqija në vlerësimet e çrregullimeve të gjumit, lodhjes gjatë ditës, ankthit, depresionit, irritimit, rraskapitjes dhe funksionit njohës të trurit, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
“Gratë raportojnë vazhdimisht një barrë më të madhe simptomash në një gamë të gjerë shenjash që shpesh nuk konsiderohen tipike për apnenë e gjumit,” tha autorja kryesore e studimit, Stuti Vaidya, studiuese e mjekësisë së gjumit në Universitetin e Pittsburghut.
Sipas saj, metodat aktuale të diagnostikimit fokusohen kryesisht te simptomat klasike, si gërhitja, ndalimet e frymëmarrjes dhe përgjumja, duke mos marrë parasysh mënyrën se si sëmundja shfaqet te shumë gra.
Në studim morën pjesë më shumë se 500 persona me apne të moderuar deri në të rëndë, të cilët po fillonin trajtimin me pajisjen CPAP. Rreth 40% e pjesëmarrësve ishin gra.
Analiza tregoi se burrat dhe gratë kishin pothuajse të njëjtin numër zgjimesh gjatë natës – rreth 36 deri në 40 herë në orë. Megjithatë, ndikimi i sëmundjes në cilësinë e jetës rezultoi dukshëm më i madh te gratë.
Sipas studiuesve, kjo mund të nënkuptojë se shumë gra jetojnë për vite me simptoma të rënda para se të marrin një diagnozë të saktë. Shpesh ato nuk identifikohen si paciente me apne gjumi derisa të zhvillojnë simptoma klasike po aq të rënda sa ato që zakonisht vërehen te burrat.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të kontribuojë në vonesa në diagnostikim dhe trajtim, duke bërë që gratë të përballen më gjatë me pasojat fizike dhe psikologjike të çrregullimit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet janë ende paraprake dhe do të duhet të konfirmohen në studime të publikuara në revista shkencore të rishikuara nga ekspertët. /Gazeta Shneta/


