Një suplement i përdorur gjerësisht për lehtësimin e dhimbjeve dhe ngurtësimit të kyçeve mund të ketë pasoja të papritura për shëndetin e trurit.
Një studim i ri sugjeron se glukozamina, e cila merret shpesh nga personat me osteoartrit, mund të përshpejtojë përparimin e demencës dhe të lidhet me një rrezik më të lartë vdekshmërie te pacientët e prekur nga kjo sëmundje, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Osteoartriti prek më shumë se një të tretën e personave mbi moshën 65-vjeçare dhe glukozamina është ndër suplementet më të përdorura për menaxhimin e simptomave.
Megjithatë, studiuesit kanë zbuluar se ajo mund të ndikojë në një proces biologjik të quajtur hiperglikozilim, i cili është tashmë i shtuar në trurin e personave me sëmundjen e Alzheimerit.
Analizat e indeve cerebrale të marra pas vdekjes treguan se pacientët me Alzheimer kishin nivele të larta të glikaneve – molekula karbohidratesh që lidhen me proteinat dhe ndryshojnë funksionin e tyre. Sa më e avancuar të ishte sëmundja, aq më i madh ishte grumbullimi i këtyre molekulave.
Sipas ekspertëve, hiperglikozilimi mund të dëmtojë komunikimin mes qelizave nervore, të përkeqësojë kujtesën dhe të nxisë procese inflamatore që çojnë në dëmtime të mëtejshme të trurit.
Eksperimentet te minjtë me forma të Alzheimerit treguan se suplementimi me glukozaminë rriti prodhimin e glikaneve dhe përkeqësoi performancën në testet e kujtesës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate nuk provojnë ende se i njëjti efekt ndodh te njerëzit.
Për shkak se glukozamina përdoret nga miliona persona në mbarë botën, autorët e studimit kërkojnë kërkime të mëtejshme për të konfirmuar lidhjen e mundshme mes këtij suplementi dhe përparimit të demencës. Deri atëherë, ekspertët këshillojnë kujdes në interpretimin e rezultateve dhe konsultim me mjekun para çdo vendimi për ndërprerjen ose fillimin e përdorimit të saj. /Gazeta Shneta/


