Një ilaç eksperimental për trajtimin e obezitetit po tërheq vëmendjen e komunitetit shkencor pasi rezultatet e studimeve të fundit tregojnë se ai mund të ndihmojë jo vetëm në humbjen e peshës, por edhe në reduktimin e yndyrës së rrezikshme që grumbullohet rreth organeve dhe në mëlçi, duke ruajtur njëkohësisht masën muskulore.
Bëhet fjalë për Survodutidi, një terapi që administrohet një herë në javë. Në një studim të fazës së tretë me 725 persona me obezitet ose mbipeshë, pjesëmarrësit humbën mesatarisht deri në 16.6% të peshës trupore gjatë 76 javëve të trajtimit. Në grupin që mori placebo, humbja e peshës ishte vetëm 3.2%, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Analizat treguan se shumica e kilogramëve të humbur vinin nga yndyra dhe jo nga muskujt. Në veçanti, ilaçi uli deri në 34% yndyrën viscerale – lloji i yndyrës që rrethon organet e barkut dhe lidhet me diabetin e tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe rezistencën ndaj insulinës.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm ishte reduktimi deri në 63.1% i yndyrës në mëlçi. Tek personat me sëmundje të mëlçisë së dhjamosur të lidhur me çrregullimet metabolike, rreth 60% e pacientëve arritën nivele normale të yndyrës në mëlçi pas trajtimit.
Ekspertët besojnë se avantazhi kryesor i Survodutidit qëndron te mekanizmi i tij i dyfishtë. Përveç veprimit të ngjashëm me barnat e tjera të grupit GLP-1 që ulin oreksin dhe rrisin ndjesinë e ngopjes, ai aktivizon edhe receptorët e glukagonit, duke ndihmuar mëlçinë të djegë më shumë yndyrë dhe të përmirësojë metabolizmin.
Megjithëse rezultatet konsiderohen shumë premtuese, studiuesit theksojnë se nevojiten krahasime të drejtpërdrejta me barnat e tjera për obezitetin për të përcaktuar nëse Survodutidi ofron përfitime më të mëdha. Megjithatë, të dhënat aktuale sugjerojnë se ai mund të shkojë përtej humbjes së thjeshtë të peshës, duke ndikuar pozitivisht në shëndetin metabolik dhe atë të mëlçisë. /Gazeta Shneta/


