Ecja, vrapimi dhe çiklizmi konsiderohen prej kohësh si aktivitetet më të rëndësishme për shëndetin. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se stërvitja e forcës është po aq e rëndësishme, sidomos për cilësinë e jetës në moshë të shtyrë.
Sipas studiuesve, ushtrimet me rezistencë ndihmojnë në ruajtjen e masës muskulore, forcës fizike dhe pavarësisë funksionale me kalimin e viteve. Përfitimet më të mëdha vërehen te personat që nisin aktivitetin fizik nga zeroja. Edhe dy seanca në javë, nga 20 deri në 30 minuta secila, mund të sjellin ndryshime të rëndësishme, raporton BBC Health transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët rekomandojnë ushtrime të thjeshta si ulje-ngritjet nga karrigia, squats, pompa, plank dhe ecja duke mbajtur pesha në duar. Madje, nuk është e nevojshme të frekuentohet palestra, pasi shumë ushtrime mund të realizohen në shtëpi duke përdorur peshën e trupit ose objekte të zakonshme si shishet e ujit.
Me kalimin e kohës, intensiteti duhet të rritet gradualisht duke shtuar peshën, numrin e përsëritjeve ose seteve. Sipas specialistëve, përparimi i qëndrueshëm është më i rëndësishëm se stërvitjet e rënda dhe të rralla.
Studimet tregojnë se vetëm 30 deri në 60 minuta ushtrime për forcimin e muskujve në javë lidhen me një ulje prej 10 deri në 17 për qind të rrezikut të vdekjes së parakohshme. Ndërsa kombinimi i stërvitjes së forcës me aktivitetet aerobike ul edhe më shumë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe disa lloje kanceri.
Përfitimet nuk kufizohen vetëm te shëndeti fizik. Ushtrimet e forcës ndihmojnë gjithashtu në reduktimin e stresit dhe ankthit, duke përmirësuar mirëqenien mendore. Ekspertët theksojnë se investimi në forcën muskulore është një lloj “kursimi” për vitet e ardhshme, që ndihmon organizmin të përballojë më mirë plakjen, sëmundjet dhe dëmtimet. /Gazeta Shneta/


