Ndryshimet në stilin e jetesës, përfshirë ushqyerjen e shëndetshme dhe aktivitetin e rregullt fizik, mund të jenë më efektive se metformina në uljen afatgjatë të rrezikut për zhvillimin e disa sëmundjeve kronike, sugjeron një studim i ri.
Hulumtimi ndoqi për më shumë se dy dekada mbi 1,100 persona që kishin marrë pjesë në Programin për Parandalimin e Diabetit, një studim i njohur që nisi në vitet 1990 në Shtetet e Bashkuara.
Studiuesit monitoruan zhvillimin e 15 sëmundjeve kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, sëmundjet e veshkave, kancerin, artritin dhe demencën.
Pjesëmarrësit u ndanë në tre grupe: një grup që ndoqi një program me aktivitet fizik të moderuar dhe ndryshime ushqimore, një grup që mori metforminë dhe një grup që mori placebo.
Pas 21 vitesh ndjekjeje, rezultatet treguan se personat që kishin bërë ndryshime në stilin e jetesës kishin rreth 20 për qind më pak gjasa të zhvillonin disa sëmundje kronike njëkohësisht, krahasuar me grupin placebo.
Nga ana tjetër, metformina nuk ofroi të njëjtin nivel mbrojtjeje afatgjatë ndaj sëmundjeve kronike.
Sipas ekspertëve, studimi tregon se përfitimet e aktivitetit fizik dhe ushqyerjes së shëndetshme shkojnë përtej parandalimit të diabetit.
Endokrinologia Dr. Shirin Jaggi tha se rezultatet janë një dëshmi e rëndësishme se zgjedhjet e përditshme të stilit të jetesës ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin aktual dhe të ardhshëm të njerëzve.
Ajo rekomandon që ndryshimet të bëhen gradualisht, duke filluar me objektiva të arritshëm për aktivitetin fizik dhe duke i rritur ato me kalimin e kohës.
Po ashtu, ekspertët këshillojnë ndjekjen e një diete të ekuilibruar dhe të qëndrueshme afatgjatë, në vend të dietave të shpejta që japin rezultate të përkohshme.
Studiuesit theksojnë se promovimi i zakoneve të shëndetshme mund të luajë një rol kyç në uljen e barrës së sëmundjeve kronike, të cilat mbeten ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve dhe paaftësisë në mbarë botën.


