Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës e ka lënë repartin e kardiologjisë invazive në Klinikën e Kardiologjisë, me pak furnizim duke e detyruar që disa materiale të sterilizohen dhe të ripërdoren tek pacientët.
Furnizimi i pjesërishëm ka shkaktuar telashe dhe vështirësi në funksionimin e repartit të kardiologjisë invazive në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Ky repart po përballet me mungesë të disa materialeve duke u detyruar që disa prej tyre edhe t’i sterilizojë për t’i ripërdorur sërish tek pacientët.
Mungesën e furnizimit të mjaftueshëm e kanë konfirmuar edhe nga vet klinika.
“Gjate dy javëve të fundit kemi pas mungesa te pjesshme në furnizim. Jemi në pritje të furnizimit, ngase operatoret ekonomik kanë nënshkruar kontratat. Puna me pacient është duke vazhduar në menyrë të rregullt (të hënën dhe të marten deri ne 13:00, janë kryer 23 raste)”, kanë deklaruar nga Klinika e Kardiologjisë përmes zyrës për media të QKUK-së.
Për shkak të mungesës së furnizimit, klinika është detyruar që disa materiale si kateterët, të sterilizohen për t’u ripërdorur tek pacientët.
“Sa i përket pyetjes për Kateterët , disa lloje të caktuara sipas procedurave dhe protokoleve, pas përdorimit here pas here dërgohen për sterilizim në Sterilizimin Qendrorë të QKUK-së. Larja para sterilizimit është proces i pastrimit të mjeteve mjekësore për largimin e gjakut dhe papastertive. Zakonisht mjetet zhyten në tretesiren e përgatitur sipas udhezimeve të produktit për një kohë të caktuar. Ky është hap shume i rendesishem para procedures së sterilizimit”, thuhet në përgjigjen e Klinikës së Kardiologjisë.


