Me ardhjen e pranverës dhe verës, miliona njerëz përballen me ethet e barit, një formë e alergjisë sezonale që shkaktohet kryesisht nga poleni. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po zgjasin sezonin e polenit dhe po i bëjnë simptomat më të rënda se më parë.
Sipas specialistëve, trajtimi më efektiv nuk janë tabletat antihistaminike, por spërkatësit nazalë me kortikosteroide ose kombinimet e tyre me antihistaminikë. Këto veprojnë drejtpërdrejt në hundë, duke lehtësuar bllokimin, teshtitjet dhe rrjedhjen e sekrecioneve më mirë se medikamentet orale, shkruan burimi BBC transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët këshillojnë që trajtimi të fillojë disa javë para sezonit të alergjive dhe të përdoret rregullisht çdo ditë, edhe kur simptomat mungojnë. Po ashtu, mënyra e aplikimit është e rëndësishme: spërkatësi duhet të drejtohet anash brenda vrimës së hundës dhe jo drejt -në pjesë e pasme të fytit.
Nëse përdoren tableta antihistaminike, rekomandohen gjeneratat më të reja si cetirizina, loratadina ose feksofenadina, të cilat shkaktojnë më pak përgjumje. Ndërkohë, spërkatësit dekongjestivë duhet të shmangen për përdorim afatgjatë, pasi mund të përkeqësojnë bllokimin e hundës.
Për të reduktuar ekspozimin ndaj polenit, këshillohet mbajtja e dritareve të mbyllura, përdorimi i syzeve të diellit ose maskës në ambient të hapur dhe larja e flokëve e trupit pas kthimit në shtëpi.
Nëse simptomat vazhdojnë pavarësisht trajtimit, mjekët rekomandojnë konsultim me specialistin. Në disa raste mund të nevojiten terapi të avancuara, si imunoterapia ndaj alergjenëve, e cila mund të ofrojë lehtësim afatgjatë dhe të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës. /Gazeta Shneta/


